Zëri i shqiptarëve në dobi të mëmedheut tingëllon fuqishëm
po të jenë të bashkuar
Marrim shkas për të përsëritur edhe një herë të vërtetën e madhe se "zëri i shqiptarëve tingëllon i fuqïshëm në dobi të mëmëdheut", kur ata janë të bashkuar, nga demostrata e madhe e shqiptarëve të Amerikës që u mbajt ditën e hënë në United Plaza të New Yorkut, qëllimi i të cilës ishte që t'u bënte të njohur edhe një herë zyrtarëve të lartë të OKB-së, përfaqësuesve të shteteve-anëtare të kësaj organizate dhe opinionit publik amerikan kërkesat e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve etnikë në Mal të Zi dhe Maqedoni.
Me zhvillimin e kësaj demonstrate të madhe lexuesi mund të njihet gjerësisht në informacionin dhe reportazhin e gazetës. Ajo tregoi edhe një herë këmbënguljen e shqiptarëve për të arritur në mënyrë paqësore realizimin e të drejtave të tyre njerëzore të patjetërsueshme dhe të garantuara nga të gjitha dokumentet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës ka një traditë të shquar në luftë për çështjen kombëtare. Kjo traditë zë fill me themelimin e Konfederatës panshqiptare "Vatra", e cila mblodhi në gjirin e vet të gjithë shqiptarët e Amerikës pa dallim besimi dhe bindjeje politike dhe dha një kontribut të madh në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në konsolidimin e shtetit të parë shqiptar. Ajo, duke qënë një organizatë kombëtare monolite, ndikoi në shkallën më të lartë në opinionin publik amerikan dhe në qeverinë amerikane për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, në një kohë kur armiqtë shekullorë të shqiptarëve, ishin vërsulur që ta shqyenin dhe ta copëtonin në mes tyre. Dhe përkrahja e shtetit amerikan, këmbëngulja e presidentit Willson ishin një nga faktorët kryesorë që e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi.
Tani para kombit shqiptar qëndrojnë dy probleme të mëdha: demokratizimi dhe përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe sigurimi i të drejtave dhe lirive themelore njerëzore për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në ish Jugosllavi. Për të dyja një ndihmë të madhe mund të japë komuniteti i madh i shqiptarëve të Amerikës, nëse ai do të jetë i bashkuar, ashtu sikundër e ka patur për traditë gjithmonë dhe sikundër e tregoi për herë të fundit në demonstratën e madhe të së hënës.
Komuniteti shqiptar në Amerikë ka fatin të jetojë në një shtet, i cili duke qenë vetë shembulli i demokracisë, duke qënë vetë shembulli i respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, i ka vënë vetes si qëllim që të bëhet mbrojtësi i tyre kudo që ato shkelen, duke u bërë kështu promotori kryesor i vendosjes së një Rendi të Ri botëror.
Komuniteti shqiptaro-amerikan, sikundër deklaroi para disa ditësh senatori Lieberman, me respektin që ka fituar ia ka hapur vetes rrugën për t'u dëgjuar nga qeveria amerikane.
Botuar si editorial në "Illyria", New York, 16 Shkurt 1993